Nisma
Rreth Nesh
Një nismë qytetare e pavarur dhe jopartiake për një zgjedhje më të informuar.
Pse ekziston Votometri?
Gjatë fushatave zgjedhore, qytetarët përballen me një sasi të madhe informacioni politik, por shpesh është e vështirë të kuptosh, krahasosh dhe vlerësosh në mënyrë të qartë se çfarë propozojnë subjektet politike. Sidomos për zgjedhësit që votojnë për herë të parë, mungesa e informacionit të strukturuar dhe të krahasueshëm mund ta bëjë procesin edhe më të vështirë.
Votometri synon ta ndryshojë këtë. Ne duam ta bëjmë informacionin politik më të qartë, më të krahasueshëm dhe më të aksesueshëm, në mënyrë që qytetarët të mund të formojnë bindjet e tyre mbi bazën e informacionit, jo vetëm të mesazheve të fushatës.
Misioni & Vizioni
Misioni
Të ofrojmë mjete të pavarura dhe transparente që i ndihmojnë qytetarët të kuptojnë dhe të krahasojnë qëndrimet politike.
Vizioni
Një qytetari më e informuar, ku çdo zgjedhës ka mundësinë të marrë vendime politike të mbështetura në informacion të qartë dhe të verifikueshëm.
Parimet tona
Pavarësi
Votometri është jopartiak. Nuk mbështet asnjë subjekt politik dhe nuk jep rekomandime vote.
Transparencë
Metodologjia, burimet dhe arsyetimi pas çdo qëndrimi janë publike dhe mund të verifikohen nga kushdo.
Bazuar në fakte
Qëndrimet e subjekteve bazohen në programet e tyre zgjedhore dhe në burime publike të verifikueshme.
Privatësi
Pyetësori nuk kërkon regjistrim dhe përgjigjet tuaja nuk lidhen me identitetin tuaj.
Organizimi dhe administrimi
Votometri është një nismë qytetare e pavarur dhe jopartiake. Në këtë fazë, Votometri operon si projekt pilot dhe është në proces regjistrimi si organizatë jofitimprurëse (OJF) / qendër edukimi qytetar në Republikën e Shqipërisë. Deri në përfundimin e këtij procesi, Votometri administrohet drejtpërdrejt nga grupi themelues.
Një projekt në zhvillim
Votometri është ende në fazën e tij të parë. Edicioni pilot po përdoret për të testuar dhe përmirësuar metodologjinë, pyetësorin dhe përvojën e përdoruesit. Me zhvillimin e projektit, synojmë të zgjerojmë bashkëpunimin me subjektet politike, studiuesit, organizatat e shoqërisë civile dhe përdoruesit.
Keni një pyetje apo sugjerim?
Votometri është ndërtuar për qytetarët. Na shkruani dhe na tregoni çfarë mendoni.
Na kontaktoni