Informacion ligjor

Politika e Privatësisë

Si i trajtojmë të dhënat tuaja kur përdorni Votometrin.

Përditësuar për herë të fundit: 15 tetor 2026.

Votometri është një nismë qytetare e pavarur dhe jopartiake. Në këtë fazë, Votometri operon si projekt pilot dhe është në proces regjistrimi si organizatë jofitimprurëse (OJF) / qendër edukimi qytetar në Republikën e Shqipërisë. Deri në përfundimin e këtij procesi, Votometri administrohet drejtpërdrejt nga grupi themelues.

Kjo politikë shpjegon çfarë të dhënash mbledh Votometri, pse, sa kohë i ruan dhe çfarë të drejtash keni. Ajo mbulon faqen e internetit votometri.org dhe pyetësorin app.votometri.org.

1. Kush jemi

Votometri është përgjegjës për të dhënat e përshkruara në këtë politikë. Deri në regjistrimin formal të organizatës, të gjitha kërkesat lidhur me të dhënat personale mund të dërgohen në info@votometri.org.

2. Parimi ynë

Votometri nuk kërkon llogari, emër apo email. Nuk dimë kush jeni dhe nuk duam ta dimë. Përgjigjet tuaja ndaj pohimeve nuk lidhen kurrë me ju, dhe rezultati juaj llogaritet në shfletuesin tuaj. Të dhënat që mbledhim janë statistika anonime, që na ndihmojnë të përmirësojmë Votometrin dhe të raportojmë se sa përdoret.

3. Faqja e internetit (votometri.org)

Faqja e internetit nuk kërkon regjistrim, nuk ka formularë që mbledhin të dhëna personale dhe aktualisht nuk përdor mjete analitike apo gjurmimi.

Analitika e planifikuar. Planifikojmë të përdorim Umami, një mjet analitik me burim të hapur që funksionon në serverin tonë dhe pa cookie, për të kuptuar si përdoret faqja e internetit. Kjo politikë do të përditësohet përpara se ta aktivizojmë.

4. Pyetësori (app.votometri.org)

Përgjigjet dhe rezultati juaj. Rezultati juaj llogaritet në shfletuesin tuaj. Përgjigjet ruhen përkohësisht në pajisjen tuaj, që të mos humbin nëse e rifreskoni faqen, dhe fshihen kur mbyllni skedën.

Statistikat anonime të përdorimit. Për çdo plotësim të pyetësorit ruajmë në serverin tonë (Directus) një rresht anonim me: datën dhe orën e nisjes; zgjedhjet dhe versionin e pyetësorit; llojin e pajisjes (celular, tablet ose kompjuter, sipas madhësisë së ekranit); faqen e internetit nga e cila keni ardhur (vetëm domenin); deri ku arritët dhe nëse e mbaruat; sa zgjati; sa pohime u përgjigjët, kaluat ose shënuat si të rëndësishme; dhe nëse i ndryshuat përgjigjet pas rezultatit. Ky rresht nuk përmban adresë IP, emër, email, përgjigjet tuaja apo rezultatin tuaj. Statistikat dërgohen përmes serverit të pyetësorit, i cili e përdor adresën tuaj IP vetëm përkohësisht, për të kufizuar dërgimet e tepërta (të shumtën 100 në javë), dhe nuk e ruan dhe nuk e përcjell më tej.

Përgjigjet si statistika të përgjithshme. Kur mbaroni pyetësorin, secila përgjigje ruhet veçmas, vetëm me datën (pa orën), zgjedhjet, versionin dhe pohimin përkatës. Këto rreshta nuk kanë asnjë lidhje me ju, me pajisjen tuaj, me plotësimin tuaj apo me njëri-tjetrin, që të mos mund të rindërtohet kurrë përzgjedhja e plotë e dikujt. I përdorim vetëm për të parë si u përgjigjen njerëzit secilit pohim në tërësi. Në të njëjtën mënyrë, pa asnjë lidhje me ju apo me plotësimin tuaj, ruhet edhe cili subjekt doli më i përputhshëm dhe përqindja përkatëse.

Me pëlqimin tuaj. Nëse pranoni statistikat në bannerin e pyetësorit, në pajisjen tuaj ruhet për 13 muaj një kod i rastësishëm, i cili dërgohet bashkë me statistikat e mësipërme. Ai na lejon të dallojmë sa njerëz të ndryshëm e përdorin Votometrin, nëse dikush rikthehet, dhe nëse një plotësim u ndërpre ose u rifreskua. Kodi nuk tregon kush jeni. Nëse e tërhiqni pëlqimin te „Cilësimet e privatësisë”, kodi fshihet nga pajisja juaj dhe hiqet nga plotësimi aktual. Detajet teknike janë te Politika e Cookies.

Pyetjet e shkurtra dhe mendimet tuaja. Në pyetësor mund t'ju shfaqen deri në tri pyetje të shkurtra opsionale (grupmosha; nëse keni votuar në zgjedhjet parlamentare të mëparshme; dhe nëse plotësimi i Votometrit ju bën më të gatshëm për të votuar), si dhe një kuti për mendime të lira. Përgjigjja është vullnetare dhe nuk ndikon në pyetësor apo në rezultatin tuaj. Nëse përgjigjeni, përgjigjet ruhen në mënyrë anonime në Formbricks, një mjet kërkimor që Votometri e drejton në serverin e vet (feedback.votometri.org). Bashkë me to ruhen: zgjedhjet të cilave u përket pyetësori, nëse bëhet fjalë për edicionin pilot, nëse u jeni përgjigjur të gjitha pohimeve, adresa e faqes dhe lloji i shfletuesit, i sistemit operativ dhe i pajisjes (p.sh. „Chrome, macOS, kompjuter”). Këto përgjigje nuk lidhen me statistikat e pyetësorit. Ju lutemi mos shkruani të dhëna personale në kutinë e mendimeve.

5. Të dhënat teknike të serverit

Ashtu si çdo faqe interneti, serverët tanë regjistrojnë automatikisht të dhëna teknike bazë (si adresa IP, lloji i shfletuesit, data dhe ora e kërkesës) për qëllime sigurie dhe funksionimi. Këto të dhëna nuk përdoren për të identifikuar përdorues, nuk lidhen me statistikat e mësipërme dhe ruhen vetëm për një periudhë të kufizuar.

6. Baza ligjore

  • Statistikat anonime dhe përgjigjet si statistika të përgjithshme nuk ju identifikojnë. I mbledhim në interesin tonë të ligjshëm për të matur dhe përmirësuar një shërbim publik edukativ.
  • Kodi i rastësishëm në pajisjen tuaj ruhet vetëm me pëlqimin tuaj, të cilin mund ta tërhiqni në çdo kohë.
  • Pyetjet e shkurtra dhe kutia e mendimeve bazohen në pjesëmarrjen tuaj vullnetare.
  • Të dhënat teknike të serverit përpunohen në interesin tonë të ligjshëm për sigurinë dhe funksionimin e platformës.

7. Sa kohë i ruajmë

  • Statistikat anonime të pyetësorit dhe përgjigjet si statistika të përgjithshme ruhen pa afat, sepse nuk ju identifikojnë dhe na lejojnë të krahasojmë përdorimin ndër zgjedhje të ndryshme.
  • Kodi i rastësishëm ruhet në pajisjen tuaj për 13 muaj ose derisa ta fshini ose ta tërhiqni pëlqimin.
  • Përgjigjet e pyetjeve të shkurtra dhe mendimet ruhen për aq kohë sa nevojiten për vlerësimin dhe përmirësimin e Votometrit.
  • Të dhënat teknike të serverit ruhen vetëm për një periudhë të kufizuar.

8. Ndarja e të dhënave me palë të treta

Votometri nuk shet dhe nuk ndan të dhëna me palë të treta për qëllime reklamimi apo tregtare. Të gjitha mjetet që përdorim (Directus për përmbajtjen dhe statistikat, Formbricks për pyetjet kërkimore) funksionojnë në serverët tanë. Përjashtimi i vetëm janë videot e integruara nga YouTube ose Vimeo, të cilat mund të vendosin cookie-t e tyre (shih Politikën e Cookies).

Mund të publikojmë statistika të përmbledhura, p.sh. sa herë u plotësua Votometri. Ato nuk lejojnë kurrë identifikimin e një personi apo të përzgjedhjes së tij.

9. Të drejtat tuaja

Në përputhje me legjislacionin shqiptar për mbrojtjen e të dhënave personale, keni të drejtë të kërkoni informacion për çdo të dhënë që mund të kemi lidhur me ju, korrigjimin ose fshirjen e saj, si dhe të tërhiqni pëlqimin në çdo kohë. Meqenëse nuk mbledhim të dhëna identifikuese, zakonisht nuk mund të gjejmë të dhëna që i përkasin një personi të caktuar. Kodin e rastësishëm mund ta fshini vetë, duke tërhequr pëlqimin ose duke pastruar të dhënat e faqes në shfletues. Na kontaktoni në info@votometri.org për çdo kërkesë. Keni gjithashtu të drejtë të paraqisni ankesë te Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

10. Siguria

Marrim masa të arsyeshme teknike dhe organizative për të mbrojtur platformën dhe të dhënat e saj. Vizitorët mund të shtojnë statistika anonime, por nuk mund t'i lexojnë apo t'i ndryshojnë ato të të tjerëve. Meqenëse asnjë sistem nuk është plotësisht i pacenueshëm, nuk mund të garantojmë siguri absolute, por do të njoftojmë përdoruesit në rast të një shkeljeje që mund t'i prekë ata, siç kërkohet nga ligji.

11. Ndryshimet në këtë politikë

Kjo politikë mund të përditësohet herë pas here, veçanërisht kur shtojmë mjete të reja (si Umami) dhe ndërsa Votometri kalon nga faza pilot në funksionim të plotë. Data e përditësimit të fundit shfaqet në krye të kësaj faqeje.

12. Kontakti

Për çdo pyetje rreth kësaj politike ose të dhënave tuaja, na shkruani në info@votometri.org.